Secondary Adv

Evazioni dominon turizmin, vetëm 1 në 4 të huaj u akomodua në struktura të regjistruara

Vetëm rreth 25 për qind e turistëve të huaj që hynë në Shqipëri gjatë vitit 2025 rezultojnë të jenë akomoduar në struktura të regjistruara, duke ngritur pikëpyetje mbi deklarimet dhe informalitetin në sektorin e turizmit.

Vetëm 3 milionë nga 12.4 milionë turistë fjetën në struktura të deklaruara

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në vitin 2025 Shqipërinë e vizituan rreth 12,466,038 shtetas të huaj. Megjithatë, vetëm 3,036,340 prej tyre u akomoduan për të paktën një natë në strukturat akomoduese të regjistruara në vend. Kjo do të thotë se më pak se një në katër turistë që hynë në territorin shqiptar rezulton të ketë fjetur në një hotel, bujtinë apo apartament me qira të deklaruar.

 

Krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 2,185,093 vizitorë të huaj në strukturat akomoduese, në 2025 pati një rritje me 851,247 vizitorë. Po ashtu, numri total i turistëve të huaj u rrit nga 11,696,111 në vitin 2024 në 12,466,038 në 2025, me një shtesë prej 769,927 vizitorësh.

 

Arsyet e diferencës: informaliteti dhe vizitorët nga rajoni

Sipas operatorëve të tregut, diferenca e madhe mes hyrjeve në kufi dhe akomodimeve të deklaruara lidhet me disa faktorë. Një pjesë e strukturave hoteliere nuk deklarojnë numrin real të pushuesve, ndërsa një numër i konsiderueshëm i vizitorëve vijnë nga vendet e rajonit dhe nuk qëndrojnë për natë në Shqipëri.

 

Gjithashtu, përfshihen edhe shqiptarë me pasaportë të huaj që akomodohen tek të afërmit, si dhe turistë që zgjedhin apartamente me qira të ofruara në platforma si Airbnb, të cilat në shumë raste nuk janë pjesë e sistemit formal të deklarimit si struktura hoteliere.

 

Referencat dhe kontrollet nuk ndryshuan situatën

Nga 1 maji deri më 30 shtator 2025, qeveria vendosi referenca për sektorin, duke përcaktuar që shfrytëzimi i kapaciteteve të hoteleve apo resorteve të mos ishte më pak se 65 për qind, përndryshe subjektet do të përballeshin me kontrolle tatimore.

 

Megjithatë, të dhënat e INSTAT tregojnë se edhe në kulmin e sezonit turistik, norma e deklaruar e shfrytëzimit të dhomave arriti në 61.5 për qind, ndërsa ajo e shtretërve në rreth 69 për qind gjatë muajit gusht. Kjo tregon se ndryshimet ligjore dhe paralajmërimet për ndëshkime patën ndikim të kufizuar në rritjen e deklarimeve nga strukturat akomoduese.

Shifrat sugjerojnë se, pavarësisht rritjes së ndjeshme të hyrjeve turistike, informaliteti në sektorin e akomodimit vijon të mbetet një sfidë e rëndësishme për administratën fiskale dhe për transparencën e tregut turistik.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat